Komisioni Evropian ka nisur një procedurë ligjore kundër Microsoft sepse supozohet që kjo kompani gjigante amerikane shkel rregullat e Bashkimit Evropian kundër monopolit, njoftojnë agjencitë botërore të lajmeve.
"Lidhja që bën Microsoft në mes Internet Explorerit dhe sistemit operativ Windows rrezikon konkurrencën në mesin e shfletuesve të internetit, përmbysë gazetat në produktet e tyre dhe në fund përdoruesve ua zvogëlon përzgjedhjen", ka njoftuar Komisioni.
Microsoftit i është dhënë afat deri në tetë javë të përgjigjet në gjetjet e Komisionit, i cili ka theksuar se kjo kompani ka mundësinë e mbrojtjes gjatë dëgjimit.
Microsoft edhe më herët ka qenë në shënjestër të veprimeve evropiane kundër monopolit. Gjykata evropiane e drejtësisë në vitin 2004 ka përcaktuar se Microsoft i ka shkelur rregulloret e BE-së kundër monopolit, duke tentuar të rrezikojë rivalët me programet e veta për përmbajtjet multimediale.
Kompania ishte dënuar me mbi 600 milionë dollarë dhe ishte urdhëruar të ofrojë versionin e sistemit operativ pa programin "Media player", si dhe të ndajë kodin komunikues me rivalët. Microsoft ishte ankuar, por dënimi ishte konfirmuar më 17 shtator të vitit 2007.